Access for Every Child: Trust Circle Foundation x Mileniumi i Tretë

Qasje për Çdo Fëmijë: Trust Circle Foundation x Mileniumi i Tretë

Në një kohë kur nevoja për një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse është më e rëndësishme se kurrë, Shkolla “Mileniumi i Tretë” ka shprehur përkushtim të jashtëzakonshëm duke u bërë pjesë aktive e kauzës së Trust Circle Foundation. Përmes një bashkëpunimi të formalizuar me një marrëveshje partneriteti, është organizuar aktiviteti “Qasje për Çdo Fëmijë”, i cili u zhvillua me shumë dashuri dhe përkushtim në ambientet e shkollës.

Kjo ditë ishte e mbushur me emocion dhe solidaritet – një shembull frymëzues i asaj që ndodh kur edukimi takohet me humanizmin. Aktiviteti, që është pjesë e një tradite mujore të udhëhequr nga arsimtarja e përkushtuar Lumnie, mblodhi në mënyrë të veçantë stafin dhe nxënësit në një qëllim të përbashkët: mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Nxënësit ishin vetë organizatorët e çdo aspekti të aktivitetit – nga krijimi i pikturave, përgatitja e ushqimeve, e deri te promovimi i kauzës. Kjo përvojë jo vetëm që u ka dhënë atyre mundësinë të zhvillojnë ndjeshmëri sociale dhe ndjenjë përgjegjësie, por ka prodhuar edhe një rezultat konkret duke u mbledhur 1,456 euro. Këto fonde do të vihen në funksion për krijimin e infrastrukturës fizike në një shkollë fillore në Prishtinë, e cila aktualisht nuk ofron kushte të përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Falë kësaj nisme, fëmijët që deri më tani janë përballur me pengesa të përditshme në arsim, do të kenë më shumë mundësi për të qenë pjesë e barabartë e sistemit edukativ.

Ky bashkëpunim mes Trust Circle Foundation dhe “Mileniumi i Tretë” është një dëshmi se ndryshimi fillon me vullnetin për të vepruar. Mirënjohje të thellë për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin që kontribuan me zemër dhe besim në këtë kauzë. Së bashku, po ndërtojmë një të ardhme më të drejtë për çdo fëmijë.

Si mund të ndihmoni?

Kjo nismë është vetëm një hap drejt një misioni më të madh. Nëse dëshironi të bëheni pjesë e iniciativave për të përmirësuar jetën e fëmijëve pa kujdes prindëror, mund të kontribuoni në forma të ndryshme:

Përmes pakove të mbështetjes

Përmes ligjit për sponsorizime

Përmes angazhimit vullnetar dhe ofrimit të shërbimeve pa pagesë

Bëhu pjesë e rrethit të besimit – Trust Circle!

Ndaje në:

share-facebook share-linkedin share-viber

12 June 2025