Organizations selected from the call for partnership with Trust Circle Foundation

Organizatat e përzgjedhura nga thirrja për partneritet me Trust Circle Foundation

Me hapjen e thirrjes për bashkëpunim me organizata joqeveritare, Trust Circle Foundation pati mundësinë të njihej nga afër me shumë organizata që punojnë në fusha të rëndësishme për të mirën e fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë. Pas një procesi të kujdesshëm të vlerësimit, i cili është realizuar nga një komision prej tre anëtarësh të pavarur, janë përzgjedhur katër organizata për të krijuar partneritet me Trust Circle Foundation: OFAP, PEMA, Labyrinth dhe Down Syndrome Kosova – organizata që ndajnë me ne të njëjtat vlera dhe vizion për të ardhmen e brezave të rinj.

Bashkepunimi me OFAP - Organizatat partnere

Bashkëpunimi me OFAP – Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror

OFAP, që vepron prej vitit 2016, është një organizatë që u përkushtohet fëmijëve pa kujdes prindëror duke ofruar mbështetje psikosociale dhe strehim në ambiente familjare. Aktualisht, organizata kujdeset për mbi 60 fëmijë në strehim familjar dhe mbështet dhjetëra familje strehuese në gjithë Kosovën, duke ofruar një alternativë më të ngrohtë dhe më njerëzore për rritjen e këtyre fëmijëve.

Bashkëpunimi ynë me OFAP bazohet në një vizion të përbashkët për të ardhmen – që çdo fëmijë pa kujdes prindëror të ketë jo vetëm një shtëpi të sigurt dhe dashuri të qëndrueshme, por edhe mundësi për një edukim cilësor, zhvillim personal dhe pavarësi sociale dhe ekonomike. Përmes këtij partneriteti, synojmë të krijojmë rrugë të reja drejt integrimit të plotë të këtyre fëmijëve në shoqëri dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për ta.

Bashkepunimi me organizaten PEMA - Organizatat partnere

Bashkëpunimi me PEMA – Qendra e Kujdesit Ditor për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara

PEMA, themeluar në vitin 2013 dhe ofron shërbime psikosociale, rehabilituese dhe edukative për fëmijët me aftësi të kufizuara në qendrat e saj në Pejë, Gjilan dhe Ferizaj.

Bashkëpunimi ynë me organizatën PEMA vjen si rrjedhojë e përkushtimit të përbashkët për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, ku çdo fëmijë ka mundësinë të ndjehet i pranuar, i përkrahur dhe i vlerësuar.

Synimi ynë është që përmes këtij partneriteti të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe edukimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke mbështetur integrimin e tyre në komunitet.

Bashkëpunimi me Labyrinth – Organizatat partnere

Bashkëpunimi me Labyrinth – Për Parandalimin dhe Trajtimin e Varësive

Labyrinth është qendra e vetme e licencuar në Kosovë për shërbime sociale dhe shëndetësore për parandalimin dhe rehabilitimin nga përdorimi i substancave narkotike. E themeluar në vitin 2002, ajo operon në tri qendra: Prishtinë, Gjilan dhe Prizren, mirëpo duke ofruar shërbime në tërë territorin e Kosovës.

Në bashkëpunimin tonë, fokusi është jo vetëm trajtimi, por edhe ndërgjegjësimi i komunitetit qysh në fëmijëri për rreziqet që lidhen me substancat. Një qasje e hershme ndaj këtij problemi shoqëror është shumë e rëndësishme për të ndikuar në mënyrën se si komuniteti e trajton këtë problem.

Bashkëpunimi me Down Syndrome Kosova - Organizatat partnere

Bashkëpunimi me Down Syndrome Kosova (DSK)

Down Syndrome Kosova është një organizatë e themeluar në vitin 2007 nga prindër të fëmijëve me sindromën Down. Si organizatë nacionale e komunitetit, DSK është e shtrirë me shërbimet e saj në pesë (5) zona rajonale të vendit: Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

Me një strukturë të fortë organizative dhe profesionalizëm të lartë, Down Syndrome Kosova është e akredituar nga MAShT-i për dy programe të dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down: Programi për Intervenimin dhe Edukimin e Hershëm, dhe Programi për Autonomi dhe Aftësim Profesional.

Vizioni i këtij bashkëpunimi është respektimi i diversitetit njerëzor, duke siguruar që çdo person, pa dallim, të ketë mundësi të barabarta për ta realizuar potencialin e vet.

Ndaje në:

share-facebook share-linkedin share-viber

23 July 2025