
Konferenca Nacionale “Një Komunitet pa Varësi”
Varësia te të rinjtë mbetet një nga sfidat më të mëdha sociale. Trust Circle Foundation synon të krijojë një impakt pozitiv për individët, familjet dhe shoqërinë në tërësi, dhe për këtë arsye kemi drejtuar veprimtarinë tonë drejt thyerjes së tabuve, dhënies së zërit atyre që shpesh mbeten të heshtur dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit që forcojnë komunitetin.
Pikërisht nga ky qëllim, më 11 Shtator 2025, u mbajt Konferenca Nacionale “Një Komunitet pa Varësi”, e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në partneritet me Trust Circle Foundation, Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe organizatën Labyrinth.

Varësia, një sfidë që kërkon qasje gjithëpërfshirëse
Gjatë diskutimeve u theksua se varësia vazhdon të mbetet një temë tabu, edhe pse prek shumë familje dhe individë në vendin tonë. Çdo i ri dhe çdo i rritur meriton një shans të dytë në jetë, dhe kjo është arsyeja pse qasja ndaj këtij fenomeni nuk duhet të kufizohet vetëm në trajtim.

Drejtori i Trust Circle Foundation, Krenar Batusha, foli për rëndësinë e fuqizimit të familjeve dhe komunitetit si mbështetje e parë për personat në nevojë. Po ashtu, ai theksoi domosdoshmërinë e edukimit të hershëm në shkolla për të kuptuar rreziqet dhe pasojat e varësive, si dhe krijimit të alternativave të shëndetshme për të rinjtë përmes aktiviteteve kulturore, sportive dhe sociale.

Së bashku për ndryshim
Një mesazh i qartë i konferencës ishte se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të organizatave, institucioneve dhe komunitetit mund të arrihet një ndryshim i qëndrueshëm dhe afatgjatë. Kjo frymë bashkëpunimi pasqyron edhe vetë emrin e fondacionit tonë – “Rrethi i Besimit” – sepse vetëm duke u mbështetur tek njëri-tjetri mund të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme.
Një hap drejt një të ardhmeje pa varësi
Konferenca “Një komunitet pa varësi” shënon vetëm fillimin e një rruge të gjatë, ku parandalimi dhe trajtimi i varësisë kërkojnë angazhim të përbashkët. Përmes kësaj fushate, ne shpresojmë të hapim një kapitull të ri në qasjen e shoqërisë sonë ndaj këtij fenomeni, duke i dhënë prioritet edukimit, mbështetjes dhe alternativave pozitive për të rinjtë.
