Trust Circle Foundation: Achievements and Impact During 2025

Trust Circle Foundation: Arritjet dhe ndikimi gjatë vitit 2025

Viti 2025 ka qenë një vit me angazhim të thellë, bashkëpunime domethënëse dhe ndikim të prekshëm për Trust Circle Foundation. Me fokus të vazhdu

eshëm në mbështetjen e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, fondacioni ka ndërmarrë iniciativa konkrete që kanë sjellë ndryshim real në jetën e shumë individëve dhe komuniteteve në Kosovë.

Më poshtë po ndajmë disa nga arritjet kryesore që shënuan këtë vit dhe që reflektojnë përkushtimin tonë ndaj barazisë, përfshirjes dhe kujdesit social.

Mbështetje konkrete për kategoritë në nevojë

Gjatë vitit 2025, Trust Circle Foundation ka ofruar shërbime në vlerë mbi 35,000 euro, duke mbështetur tri kategoritë kryesore në fokusin e fondacionit. Këto shërbime kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies, qasjes në shërbime dhe dinjitetit të përfituesve.

Qasje dhe përfshirje për fëmijët me aftësi të kufizuara

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore këtë vit ka qenë ndërtimi i qasjes fizike në dy shkolla fillore publike në Prishtinë. Përmes ndërtimit të hyrjeve dhe tualeteve të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, fëmijëve u është mundësuar një ambient shkollor më gjithëpërfshirës, i sigurt dhe i barabartë.

Mbështetje për Qendrën PEMA në Ferizaj

Në përgjigje të nevojave urgjente të Qendrës PEMA, është lansuar një fushatë për grumbullimin e fondeve me qëllim forcimin e kapaciteteve të kësaj qendre dhe adresimin e rrezikut potencial për ndërprerjen e funksionimit të saj. Kjo iniciativë synon të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve jetike që PEMA ofron për përfituesit e saj.

Fushata e parë kombëtare kundër varësisë

Trust Circle Foundation ka shënuar një moment historik duke lansuar fushatën e parë kombëtare në Kosovë për vetëdijësim rreth abuzimit me substanca dhe varësisë. E realizuar në partneritet me KOMF dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë të Zyrës së Kryeministrit, fushata ka pasur në fokus fëmijët, të rinjtë, prindërit, mësimdhënësit dhe profesionistët, duke synuar edukimin, parandalimin dhe dialogun e hapur rreth kësaj çështjeje të ndjeshme.

“Dashni që vishet!” – fuqizim dhe përfshirje

Në bashkëpunim me Down Syndrome Kosova dhe dizajneren Leonita Muja, u lansua fushata “Dashni që vishet!”. Kjo iniciativë kishte për qëllim fuqizimin e personave me Sindromën Down, promovimin e përfshirjes së tyre aktive në komunitet dhe mbështetjen e shërbimeve esenciale që Down Syndrome Kosova ofron për ta.

Përgatitje për fushatën me organizatën OFAP

Gjatë vitit 2025, fondacioni ka nisur përgatitjet për lansimin e fushatës në bashkëpunim me OFAP. Kjo fushatë synon fuqizimin e strehimit familjar si forma më e përshtatshme për fëmijët pa kujdes prindëror, rritjen e ndërgjegjësimit publik për nevojat e kësaj kategorie dhe grumbullimin e fondeve për shërbimet që u ofrohen fëmijëve në situata kritike.

Bashkë bëjmë ndryshimin!

Arritjet e vitit 2025 janë dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, besimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse. Trust Circle Foundation mbetet e përkushtuar që edhe në vitet në vijim të vazhdojë të veprojë me zemër, transparencë dhe ndikim të qëndrueshëm.

Faleminderit të gjithë partnerëve, donatorëve dhe individëve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi.

Ne do të vazhdojmë me përkushtim misionin tonë për të mbështetur kategoritë më të ndjeshme dhe për të krijuar ndikim të qëndrueshëm në komunitet.

Edhe ju mund të bëheni pjesë e këtij ndryshimi duke kontribuar dhe duke mbështetur iniciativat tona – sepse çdo dhurim është një hap më afër një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse.

Ndaje në:

share-facebook share-linkedin share-viber

15 January 2026